Home Uncategorized Zbardhen bisedat: kështu dyshohet se u inskenua rasti kundër zyrtarit të VV-së

Zbardhen bisedat: kështu dyshohet se u inskenua rasti kundër zyrtarit të VV-së

173
0





Jakup Haxhiu, një zyrtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Komunën e Vitisë, dyshohet se u implikua në montimin e një rasti për ngacmim seksual kundër Bislim Bislimajt, një aktivisti të Lëvizjes Vetëvendosje.

Disa komunikime të zbardhura të Haxhiut, të realizuara përmes platformës së komunikimit online Viber, tregojnë zyrtarin e LDK-së duke shkëmbyer mesazhe rreth montimit të dyshuar të rastit ndaj Bislimajt të VV-së.

Bashkë-biseduesi i Haxhiut, një person me emrin e viberit Arben Kabashi, i thotë atij se vajza e cila kishte denoncuar rastin do ta akuzojë Bislimajn. Thotë se gjithçka është përgatitur mirë.





“Edhe ajo thotë që më ka dhunu”, shkruan Kabashi.

“Po mirë”, përgjigjet Haxhiu, zyrtari i LDK-së në Komunën e Vitisë.

“Ma mirë s’ka qysh”, ia kthen personi i prezantuar me emrin Arben Kabashi në platformën Viber. “Sigurt nja dy mij vota ja marrim”, vijon ai.

Bislim Bislimaj u arrestua të shtunën nën dyshimin për dhunimin seksual të një të miture. Ai u ndalua në stacionin e policisë.





Por, sot Prokuroria e Shtetit përgënjeshtroi rastin. E cilësoi të dyshuar si të montuar.

Prokuroria, tha sot se zyrtarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Bislim Bislimaj, i cili u akuzua për dhunimin e një të mirure, iu ndërpre ndalimi 48 orësh.

Sipas Prokurorisë, ekzaminimi gjinekologjik i të miturës ka konstatuar se ajo s’ka qenë e keqtrajtuar seksualisht nga Bislimaj. Rrjedhimisht, Prokuroria thotë se nuk ka pasur më dyshim të arsyeshëm se zyrtari i LVV-së e ka kryer këtë vepër penale.

“Pas pranimit të raportit gjinekologjik dhe ndërmarrjes së veprime tjera hetimore, Prokuroria Themelore në Gjilan, ndaj të njëjtit e ka ndërprerë masën e ndalimit 48 orësh, pasi nuk ka ekzistuar dyshimi i arsyeshëm se i njëjti ka kryer këtë vepër penale”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
Prokuroria thotë se rasti i 12-vjeçares është raportuar më 4 nëntor në stacionin policor në Viti, por jo për dhunim.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here