Home Uncategorized Syla: Hashim Thaçi, i munguari i madh i Kosovës

Syla: Hashim Thaçi, i munguari i madh i Kosovës

28
0





(Në njëvjetorin e burgosjes së Presidentit)

1.

“Ta burgosësh një njeri të lindur në ditën e pranverës është krim i madh”, më tha në një rast presidenti Hashim Thaçi. “Është ditë e bekuar!” Kur e tha këtë, nuk ishte dita e ditëlindjes sime, 21 marsi, që si ngjarje jetësore i bën miqtë e mi dhe të tjerët të shprehin urime nga më të përzemërtat, por edhe aso stereotipe e konvencionale. Jo. Duke qenë afër tij për dy dekada, dita e parë e fillimit të pranverës i ishte ngulitur në kujtesë edhe si ditëlindja ime.

Kjo më bëri me dije se në “procesorin” e mendjes së tij zënë vend edhe datat, por edhe vlerësimet e mirëmenduara. Ky formulim për mua e mori vlerën e një perle.





Ishte vlerësimi më lirik i mundshëm, nëse brenda shprehjes lirizëm ngërthehet dashamirësia, njerëzishmëria dhe konsiderata me shpërfaqje më të lartë estetike. Ishte një nderim për një ish të burgosur politik të dënuar në moshë të re nga Gjykata e Qarkut e Prishtinës më 12 korrik 1982. Ishte konsideratë për plejada të tëra ish të burgosurish politikë. Vëllai i tij i madh, Ganiu ishte burgosur në vitin 1981. Pra, që në fëmijëri Hashim Thaçi e kishte të integruar natyrshëm respektin për këtë kategori njerëzish.

2.

Vizita e parë e Hashim Thaçit në shtëpinë tonë në Kizharekë ishte për qejf. Si çdo njeri që ka rastin ta pres në konak një personalitet të lartë kombëtar, me përgjegjësi politike dhe institucionale edhe unë u ndjeva shumë i nderuar. Ishte vizita e kryeministrit të Republikës së Kosovës. Por, domethënia më kuptimplote dhe më e fuqishme për këtë vizitë u formulua nga vetë ai.

“Pata dëshirë ta vizitoj shtëpinë tuaj, sepse kjo shtëpi dhe ky truall është bastisur shpesh nga UDB-ja.” Ai e kishte të qartë historinë e familjes sonë, e cila ishte në shënjestër të pushtetit jugosllav qysh nga viti 1972, kur vëllai im i madh, Gani Sylaj i kishte dhënë gati përbotshëm të gjitha shenjat se në këtë botë Kosova kishte një armik të madh, Jugosllavinë.





Historia ka ndërruar përfundimisht. Shtëpinë dhe truallin tonë tashmë e nderojnë personalitetet më të larta kombëtare të Kosovës së lirë, themelues të shtetit tonë të ri.

3.

Si kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi nuk ishte nga ata që i kanë strikte ardhje – daljet në zyrë. As ndonjë imponim të disiplinës “ushtarake”, kushtimisht ta themi.

Sapo makina e tij hynte në parkun e selisë së PDK-së, gjithçka bëhej serioze, që nga djemtë e sigurimit të objektit, shkallët që çonin deri te zyra, duke kaluar nëpër ato të Odës Ekonomike. Pra një hije e rëndë serioziteti vihej vetvetiu në hapësirat e PDK-së.

Më vonë Arianit Bytyçi, shef i zyrës së informimit në Kryeministri, që i përcillte rregullisht mbledhjet e Qeverisë, kishte vërejtur se kur mungonte në raste të rralla ose nuk ishte i pranishëm përkohësisht kryeministri Thaçi, ministrat ishin më të shpenguar. Sapo ai kthehej, shpengimi mblidhej dhe rrjedhës së mbledhjeve i kthehej hija e rëndë, pra pesha dhe rrezatimi i liderit me premisa pothuajse të lindura, por të kultivuara përgjatë sprovave jetësore.

4.

Në rreth të ngushtë shoqëror nga Hashim Thaçi dilte në pah një natyrë e butë prej njeriu. Anëtarë kryesie, shefa deputetësh dhe miq të tij dinin të ishin të zëshëm, polemizues, të ngutshëm për të shfaqur mendime, analiza dhe vlerësime Në këtë atmosferë debati, kur ai donte të ndërhynte, nuk ia jepnin rastin.

Ishte diçka e kundërt me atë hijen e rëndë të hapësirës në selinë e PDK-së ose në mbledhjet e qeverisë. Por, kuptohet, mjedisi ishte miqësor. Dhe për ta bërë atmosferën efektivisht më shpirtërore, në një rast u tha miqve – bashkëpunëtorë: – Shyqyr që jam kryetar, se nuk ma kishit dhënë fjalën asnjëherë!… Pastaj plasën të qeshurat.

5.

Si strateg politik, Hashim Thaçi, si të thuhet, investonte energji përreth dhe përtej dy komunave të Drenicës, bazë tradicionale e PDK-së. Përpos përkushtimit në Prizren, – metaforikisht Jerusalemit të PDK-së, pika të dobëta i kishte Rahovecin dhe Malishevën.

Kush i merrte ato dy komuna, i afrohej Drenicës. Për shkak të përçarjeve të politikanëve dhe komandantëve të Malishevës, në zgjedhjet e para komunale pas luf tës nuk arriti të fitojë PDK-ja. E, në zgjedhjet e radhës kryetari Thaçi arriti t’i bashkojë të gjithë krerët e fraksioneve në shtëpinë e një familjeje të nderuar në Malishevë. Secilit “lider” lokal ia kishte sjellë përfaqësuesin përkatës nga qendra. Komandantit lokal një komandant të qendrës, ish të burgosurit politik me influencë lokale një ish të burgosur me nam.

Atë mbrëmje u arrit pajtueshmëria efektive. Ishte koha kur energjia elektrike ndërpritej dhe ndonjë agregat nuk soste edhe aq mirë punë. Kur filloi shpërndarja e njerëzve, njëri prej aktorëve që pranoi konsensusin tha se nuk po i gjente këpucët e tij.

Kryetari Thaçi i tha me humor: – Mbathi cilat të mundesh. Tani jeni një. Shpërthyen të qeshurat… Pas pak ditësh PDK-ja fitoi në Malishevë.

6.

Me rastin e hartimit të biografisë së kryeministrit Hashim Thaçi për web faqen zyrtare, kishim parë modelet më të mira të zyrtarëve të lartë euroatlantikë.

Paragrafët nisnin me funksionin ose pozitën aktuale, më të lartën, për t’u renditur për së prapthi, deri te shkollimi fillestar. Kështu, bie fjala përmbajtja e paragrafit të parë thoshte: Pas fitores së PDK-së në zgjedhjet parlamentare të 17 nëntorit 2007, z. Hashim Thaçi u zgjodh kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës me 9 janar 2008.

Ndërkaq, në paragrafin vijues thuhej: Më 17 shkurt 2008, në Kuvendin e Kosovës kryeministri Hashim Thaçi e shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik. Biografia për një kohë të gjatë mbeti në tavolinën e kryeministrit. Mendja na shkonte te ndonjë pakënaqësi e tij rreth paragrafëve. Kaloi një kohë pa u publikuar kjo biografi në faqen zyrtare të kryeministrisë. Më në fund erdhi momenti.

Kryeministri Thaçi e kishte “lekturuar” tekstin. Nuk kishte asnjë vërejtje esenciale. E vetmja vërejtje dhe pengesë për vonim ishte bërë një shkronjë, një zanore “e”, një nyje para foljes “shpalli”.

Mua sikur m’u ndriçua rëndësia e korrigjimit. Formulimi me zanoren – e shpalli, sikur e vononte paksa procesin e shpalljes së Kosovës shtet i pavarur. Në akt i pritur dymijë vjet nuk bënte të vonohej, të ngatërrohej të ngecte në një prag-pengesë prej një tingulli zanor. Pra, sa më shpejt e shkurt duhej shkruar “shpalli Kosovën shtet të pavarur…”

7.

Më 5 nëntor bëhen një vit nga paraburgimi i Presidentit Hashim Thaçi. Nga gazetarja e RTK-së, Elmina Osmani më erdhi një sms në telefon: “Jemi duke punuar disa reportazhe tash në prag të një vjetorit të shuarjes në Hagë të krerëve të UÇK-së. Kishte me qenë nder me ju pasur ju në një rrëfim për Presidentin Thaçi. Reportazhi ka të bëjë me kujtime emocionuese, pa hyrë në ato çka ka të bëjë Gjykata Speciale. Mbesim me shpresë se do të na përgjigjeni për këtë kërkesë.”

Gazetaren Osmani e falënderoj shumë për ftesën. Ky shkrim që kërcen nga një motiv në tjetrin pothuajse i përgjigjet kërkesës së gazetares së RTK-së. Nga disa paraqitje në studio televizive e kam vërejtur se fytyrën time nuk po e duron ekrani.

Ndoshta çështje moshe. Aq më tepër se një moshatar imi, i nderuari profesor Enver Hasani paska thënë se Ismaili është i mirë kur shkruan, por jo kur flet. Unë nuk po sugjeroj asgjë për pamjen as shkrimet e tij, por do ta respektoj këshillën e z. Hasani, 60 vjeçar.

8.

Në fund një përshtypje nga vizita që i bëra Presidentit Thaçi në Hagë, para dhjetë ditësh Ai ishte në gjendje jashtëzakonisht të mirë shëndetësore. Vital. Po merrej me të gjitha aktivitetet sportive të mundshme. Me përpikëri spartane e ruan higjienën mentale dhe si ditën që na tha “lamtumirë” përkohësisht, do të thotë “mirës se u gjeta” së shpejti, me shëndetin, bukurinë dhe rrezatimin e tij presidencial.

Prishtinë, 4 nëntor 2021

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here