Home Uncategorized Detaje nga seanca e Mustafës në Hagë, çfarë dëshmoi dëshmitari?

Detaje nga seanca e Mustafës në Hagë, çfarë dëshmoi dëshmitari?

304
0





Prokurori pyet për njësitin “Skifterat”, dëshmitari thotë se nuk i kishte njohur gjatë ndalimit në Zllash
(E plotësuar 11:45) –

Ka vazhduar seanca ndaj ish eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafës, ku dëshmitari i parë në këtë proces para gjyqit ka thënë se ka pësuar lëndime nga rrahjet dhe siç ka thënë ai që nga ajo kohë nuk mund të punojë asgjë teksa ka kërkuar edhe dëmshpërblim nga Gjykata Speciale.

Dëshmitari thotë se nga rrahjet lëndime ka marrë në dorë, kokë, gisht e dhëmbë.

“Dorën e kam të thyer në tri vende që më kanë rrahur. Pastaj, nuk e kam ditë por ka ndodhë që një ditë i kam pirë 10 ilaçe të kokës dhe kam shkuar tek mjeku ka konstatuar se duhet të bëhem operacion për shkak të rrahjes. Gishtin e mesit të dorës së djathtë e kam të thyer, dhëmbët e thyer. Krejt trupin të llomitur”, është shprehur dëshmitari, identiteti i të cilit mbetet sekret.





Më tej, ai thotë se të gjithë dhëmbët i ka të thyer, pas rrahjeve që sipas tij ka marrë me shqelma e boksa teksa thotë se edhe nofullën e ka pasur të lënduar për një kohë.

***

Në Gjykatën Speciale ka vazhduar gjykimi i Salih Mustafës nën dyshimet për krime lufte dhe kundër njerëzimit.

Në seancën e sotme është duke dëshmuar dëshmitari i parë i mbrojtur i Speciales, i cili i është përgjigjur pyetjeve të Prokurorit të Specializuar.

Dëshmitari është pyetur nga Prokurori për njësitin “Skifterat” dhe nëse ka dijeni për ta, për të cilët dëshmitari ka thënë se ka dëgjuar më vonë por jo gjatë kohës sa pretendon se është mbajtur në Zllash.





Transkripti i pyetjeve të Prokurorit dhe përgjigjeve nga dëshmitari i mbrojtur:

Prokurori: Dje na the se ke parë një person që kishte shenja djegie në trup dhe i kishte durët e lidhura. Pyetja ime është kjo: Përveç këtij personi të lidhur dhe teje, a ka pasur persona të tjerë si ju?

Dëshmitari: Jo

Prokurori: Mendohu pak për momentin që e përshkrove dje, e kam fjalën për momentin që deklarove se i akuzuari më ka rrahur. Dje ke thënë se pas përfundimit të rr ahjes, dy persona u urdhëruan të më dërgonin përsëri në dhomë. E mban mend këtë që e ke thënë dje?





Dëshmitari: Kam thënë se dy persona më kanë marrë pas rrahjes dhe më kanë dërguar përsëri në dhomë

Prokurori: Pasi që ke thënë se nuk i njihje, unë po të pyes a e di kush i urdhëroi këta persona

Dëshmitari: Ai që më ka rrahur

Prokurori: Do të them një fjalë dhe të kërkoj ndjesë se si do ta shqiptoj në gjuhën shqipe. Fjala “skifterat”, çfarë do të thotë për ju?

Dëshmitari: Nuk e di





Prokurori: A ka ndonjë lidhje fjala “skifter” me të akuzuarin?

Dëshmitari: Ata që kanë qenë aty kanë qenë “skifterat”

Prokurori: Por ti personalisht çfarë ke ditur për skifterat?

Dëshmitari: Në atë kohë nuk e kam ditur, por më vonë e kam kuptuar kush janë

Prokurori: Deklarove se “ata aty kanë qenë skifterat”, për kë e kë fjalën?

Dëshmitari: Thash se nuk e kam ditur kush janë “skifterat”, më vonë e kam kuptuar

Prokurori: Ti the se ata ishin “skifterat”, a e ke fjalën për personat në Zllashë që të kanë mbajtur ty?

Dëshmitari: Po

Prokurori: Këta “skifterat”, a ishin ndonjë njësit?

Dëshmitari: Nuk e di çka kanë qenë

Prokurori: Tani do të tregoj një fotografi. Sekretare të lutem tregoja edhe publikut këtë fotografi. Tregojani edhe dëshmitarit këtë fotografi. (I shfaqet fotografia dëshmitarit). Çfarë ju kujton kjo fotografi?

Dëshmitari: Po ma merr mendja se është vendi ku më kanë keqtrajtu

Prokurori: Është vendi në Zllashë ku je mbajtur? A po e thua këtë? Në cilën shtëpi saktësisht mendon se jeni mbajtur? A i thua dot gjykatës në cilën prej këtyre ndërtesave jeni mbajtur?

Dëshmitari: Qikjo dy-katëshja është, por unë jam mbajtur në bodrum ndërsa ata kanë qenë lartë

Prokurori: A po thua se në këtë ndërtesën më të lartë jeni mbajtur në bodrum? Dje na ke thënë se aty ku keni qëndruar, keni dëgjuar britma nga kati lartë? A mund t’i thuani gjykatës nëse kjo është ndërtesa ku i keni dëgjuar këto britma nga lartë?

Dëshmitari: S’kom mujt me pa kurgjo, po me siguri është qajo lart.

***

“Kohët e fundit më është shkaktuar një stres dhe ky stres vjen si pasojë e disa faktorëve të ndryshëm”, ka deklaruar kështu i akuzuari nga Specialja, Salih Mustafa në seancën e sotme ku po zhvillohet gjykimi i tij në Hagë.

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa po flet para trupit gjykues sot në Dhomat e Specializuara në Hagë por seanca po vijon e mbyllur për publikun.

Salih Mustafa dje ka lëshuar sallën e gjyqit për çka mbrojtja e tij ka deklaruar se i njëjti nuk dëshiron të jetë i pranishëm në sallën e gjyqit gjatë gjykimit të tij.

Por trupi gjykues e ka kërkuar prezencën e tij sot në sallë dhe menjëherë pas fillimit të seancës Mustafa ka kërkuar të flas dhe ka deklaruar se kohët e fundit po përballet me stres.

Mustafa: Kohët e fundit më është shkaktuar një stres si pasojë e disa faktorëve

“Që në fillim po ju them se as dëshira ime as qëllimi im nuk është që të mos ju respektoj ju dhe panelin e kësaj gjykate por as zonjën avokate që është ulur atje përballë sepse nuk është as në bindjen time e as në kulturën time por kohët e fundit më është shkaktuar një stres dhe ky stres po vjen si pasojë e disa faktorëve të ndryshëm dhe tani po ua them se cili është problemi. Pas 12 muajsh në paraburgim…”, ka thënë Mustafa dhe seanca ka vijuar e mbyllur pastaj.

Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte dhe kundër njerëzimit, dhe u dërgua në objektin e paraburgimit në Hagë.

Ky është gjykimi i parë që ka filluar në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, e Salih Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja.

Në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here