Home Uncategorized Lëshohet urdhëresë që Adem Grabovci të sillet me forcë në gjykatë

Lëshohet urdhëresë që Adem Grabovci të sillet me forcë në gjykatë

548
0





Ish-deputetët e LDK-së Ismet Beqiri dhe Sabri Hamiti kanë thënë se nuk e dinë nëse Driton Çaushi ka hedhur gaz lotsjellës në ambientet e Kuvendit të Kosovës, në seancën e 10 gushtit 2016. Ndërsa, ndaj ish-deputetit të PDK-së, Adem Grabovci është lëshuar urdhëresë që të sillet me forcë në gjykatë pasi ka munguar në seancën e së martës në cilësinë e dëshmitarit.

Deklarimet e Beqirit dhe Hamitit janë dhënë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku ish-deputeti i Vetëvendosjes, Driton Çaushi po akuzohet për përdorim të mjetit të rrezikshëm si dhe pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ish-deputeti Ismet Beqiri ka thënë se nuk i kujtohet rasti pasi ka kaluar një kohë e gjatë dhe ka pasur shumë seanca të tilla.

Ai ka thënë se nuk e ka parë nëse Çaushi ka hedhur gaz lotsjellës në Parlament.

“Është e vërtet që ka pasur shumë seanca, por mund të ketë qenë edhe ajo seancë, por konkretisht nuk e kam parë të akuzuarin duke hedhur gaz lotsjellës”, tha dëshmitari Beqiri.





Edhe ish-deputeti tjetër i LDK-së, Sabri Hamiti, ka thënë se nuk i kujtohet nëse e ka parë të njëjtin duke hedhur gaz lotsjellës.

Hamiti ka kërkuar që kurrë mos të ftohet më nga gjykata.

Kurse, në seancën e së martës nuk ka prezantuar dëshmitari Adem Grabovci, për të cilin gjykatësja e rastit Lumnije Krasniqi ka thënë se ndaj të njëjtit do të lëshohet urdhër për sjelljen me detyrim.

Ndërsa, me fillim të kësaj seance është dhënë fjala hyrëse nga prokurori Blerim Igrishta, i cili ka thënë se gjykatës i ka ofruar prova të mjaftueshme me të cilat vërtetohet se i akuzuari Çaushi është kryerës i veprave penale të përshkruara në aktakuzë.

Tutje, ai ka thënë se kjo do të vërtetohet me dëshminë e dëshmitarëve, të cilët sipas tij do të dëshmojnë se ditën kritike tani i akuzuari Çaushi ka përdorur në ambientin e Kuvendin e Kosovës gazin lotsjellës i cili ka pamundësuar mbajtjen e seancës nga tymi i cili është shkaktuar.





Kurse, i akuzuari Çaushi në fjalën hyrëse ka thënë se nuk e ndien vetën fajtor për veprat për të cilat po akuzohet.

Seanca e radhës në këtë rast pritet të mbahet më 23 shtator 2021.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 27 mars 2018 ka ngritur aktakuzë ndaj Driton Çaushit sepse ka përdorur armën në kundërshtimin me ligjin e zbatueshëm për armë, ashtu që më 10 gusht 2016, gjatë mbajtjes së mbledhjes në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku ka qenë pjesëmarrës i akuzuari, në cilësinë e deputetit të Lëvizjes së VV, ka hedhur gazin lotsjellës në këtë sallë me çka ka rënë ndesh me nenin 9.1 të Rregullores nr.04/12 për Armëmbajtje në Republikën e Kosovës, ku ndalohet përdorimi i armëve.

Me këto veprime prokuroria e ngarkon atë me veprën penale “përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, nga neni 375 par.1 të KPPK-së.

Prokuroria gjithashtu e ngarkon Çaushin edhe me veprën penale “pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”, nga neni 409 par.1 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Çaushi në vendin dhe kohën e lartcekur, gjatë përdorimit të gazit lotsjellës ka penguar personat zyrtar- dëshmitarin Kadri Veseli, në cilësinë e kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe dëshmitarët- deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti etj, në kryerjen e detyrave zyrtare, me ç’rast të gjithë personat zyrtarë janë detyruar ta ndërpresin mbledhjen dhe të largohen nga salla.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here