Home Uncategorized Ambiciet e Ramushit: Pa shkollë e akademi në krye të shtetit!

Ambiciet e Ramushit: Pa shkollë e akademi në krye të shtetit!

99
0

Lëvizja Vetëvendosje ka filluar me mbledhjen e nënshkrimeve për mocionin për rrëzimin e Qeverisë Hoti.

Në anën tjetër, AAK po kërcënon me prishje të koalicionit dhe rrëzim të Qeverisë, nëse LDK nuk ia jep postin e presidentit, liderit të kësaj partie, Ramush Haradinajt.

Ai ka shpallur kandidaturën për të parin e shtetit.

Lidhur me këtë post dhe kërcënimet ndaj qeverisë me rrëzim të saj, për gazetën “Bota sot” ka folur njohësi i çështjeve politike, Rexhep Elezaj.

Ai ka thënë se ambiciet e tij janë më të mëdha se kapaciteti i tij për këtë post, derisa këtë e mbështet me faktin se ai nuk ka kryer akademi apo shkollë e as nuk ka përvojën e duhur politike, duke shtuar se në këtë post nuk duhet sjellë njerëz me bagazh dhe fizionomi luftarake dhe ushtarake.

“Mendoj se ambiciet e z. Ramush Haradinaj për t’u bërë president i Kosovës, aq sa janë irracionale, po aq janë më të mëdha se sa kapaciteti i tij politik, intelektual dhe udhëheqës për ta ushtruar me sukses postin e njeriut të parë të shtetit.

Këtë që e them, mund ta ilustroj me disa fakte, sepse në aspektin politik Ramushi nuk ka të kryer ndonjë akademi ose shkollë gjegjëse në fushën politike, siç nuk ka as përvojë të duhur në politikë, ngase të qenit kryeministër për pak kohë ose kryetar i një partie politike, fare nuk nënkupton që mund të jesh edhe president i mirë dhe i suksesshëm i një vendi, meqë kudo në praktikat e vendeve demokratike posti i të parit të shtetit iu jepet, gati në mënyrë ekskluzive figurave të shquara akademike, profesorëve nga fushat juridike si dhe politikanëve me përvojë dhe me mbi 60 vjet në moshë (shih vetëm moshën e Joe Beiden, kandidat për president të SHBA).

Pra, ajo që dua të them, është se në postin e presidentit të një vendi demokratik nuk duhet të vijnë njerëz me bagazh dhe fizionomi luftarake dhe ushtarake, siç është R. Haradinaj, dhe kjo për shumë arsye, e që këtu nuk kemi hapësirë të mjaftueshme që t’i elaborojmë ato në tërësi”, është shprehur ai.

Elezaj vlerëson se Haradinajt i mungon përgatitja shkollore dhe kështu nuk mund të jetë i barabartë në mesin e homologëve, të cilët zakonisht janë figura të larta akademike.

Në aspektin intelektual Ramushit, po ashtu i mungon qartë përgatitja shkollore, në cilën do lëmi qoftë, dhe kjo përbën në vete një hendikep të madh në ushtrimin e këtij posti të lartë shtetëror, sidomos kur gjendesh në poste të larta shtetërore, që nënkupton se nuk mund të jesh por as të ndjehesh i barabartë në mesin e homologëve nga vendet tjera, të cilët zakonisht janë figura të larta akademike dhe që kanë, mbase edhe vepra të shumta të botuara në fushat përkatëse që kanë të kryera. Pra, nuk mund të jesh i barabartë në mesin e atyre që kanë tituj të lartë akademikë, ndërsa ti nuk ke asnjë përgatitje akademike. Këtu mund t’i numëroj me dhjetëra kryetar shtetesh të cilët janë me grada të larta akademike dhe shkencore, ndërsa dihet se gradacionet ushtarake ose meritat e luftës në shekullin 21 janë të “vlera “ të tejkaluara në politikë, kur bartësve të tyre u janë dhënë poste të larta shtetërore vetëm për hir të meritave dhe sukseseve në luftë, një kod ky i dalë nga sistemet komuniste, por që nuk çon ndonjë peshë në kohën moderne të etatizmit dhe shtet ndërtimit të shoqërive demokratike dhe pluraliste..”, ka theksuar ai.

Një arsye tjetër pse Haradinaj nuk duhet të jetë president, analisti e përmend se ai nuk ka treguar ndonjë aftësi të madhe si udhëheqës i mirë, që kur është në politikë.

“Z. R. Haradinaj që kur gjendet në politikë nuk ka treguar ndonjë aftësi të madhe si udhëheqës i mirë, mbase është treguar si dezintegrues brenda skenës politike shqiptare, prandaj ky fakt i bënë ambiciet e tij për të qenë president i Kosovës të pa arsyeshme, sepse për ta udhëhequr një popull dhe një shtet duhet të kesh talent prej lideri, përvojë të madhe, sens diplomatik, etj., që Ramushi nuk ka dëshmuar se i ka. Pra, nuk është treguar se ka veti dhe vlera unifikuese midis faktorëve politik shqiptar, mbase në të kundërtën, është treguar inatçor, shpeshherë edhe arrogant si dhe hakmarrës, atribute këto që e bëjnë kandidaturën e tij për president krejtësisht të pa pranueshme për shumicën e popullit, dhe kështu me radhë..”, ka vlerësuar Rexhep Elezaj për “Bota sot”.

Në anën tjetër, sa i përket kushtëzimit të koalicionit qeverisës me këtë post, ai thotë se e ka shfaqur naivitetin e tij politik, pasi një pozitë e tillë nuk duhet të hyjë në pazare politike, pasi kështu degradohet imazhi i këtij posti, siç ka ndodhur me rastin e Hashim Thaçit.

“Ndërsa, kushtëzimi i tij për mbajtjen ose prishjen e koalicionit me LDK-në me dhënien atij të postit të presidentit, thënë më së buti, e ka shfaqur naivitetin e tij politik, sepse posti i presidentit është pozitë nderi dhe besimi në kuptimin politik, andaj si e tillë ajo (posti) nuk mund të hynë në kusuritje politike midis partive, sepse kështu degradohet imazhi i shtetit si dhe posti i presidentit, siç është degraduar me rastin e zgjedhjes së H. Thaçit për president nga ana e LDK-së, në vend se presidenti i Kosovës të zgjidhej drejtpërdrejt nga votat e popullit. Dhe, derisa të vazhdohet me këtë praktikë të keqe Kosova nuk do ketë kurrë një president të cilin do e zgjedh vullneti i popullit, si dhe me të cilin do ndjehen krenarë jo vetëm populli shqiptar shumicë, por edhe grupet tjera etnike joshqiptare..”, ka shtuar ai.

Elezaj vlerëson se pazaret për këtë post në mes të partive, do të duhej t’i turpëronin ata, derisa tentojnë t’i ngopin ambiciet e sëmura.

“Përndryshe, pazaret politike midis partive parlamentare se cila do ta merr postin e presidentit, se kush do ta zëvendësojë më së miri “filozofinë” përçarëse të Hashim Thaçit pas largimit të tij nga ky post, etj., janë debate nga të cilat duhet të turpërohen para vetes dhe para popullit, gjitha ata të cilët postin e të parit të shtetit synojnë ta marrin pa meritë dhe përmes dallavereve politike, për t’ua ngopur ambiciet e sëmura për pushtet disa politikanëve tanë, të cilët, jo vetëm që nuk duhet të vijnë në këtë post, por të cilët moti është dashur që ta kenë marrë “dekoratën” për tradhti kombëtare”, ka deklaruar analisti.

Elezaj po ashtu thotë se për të bëmat në dëm të sovranitet territorial dhe shtetëror të Kosovës, ku i dhanë tokë Malit të Zi, do të duhej të dekoroheshin tradhtarë të kombit, ndërsa shton se për president Kosova duhet të zgjedhë figura të shquara atdhetare, të pastra kombëtarisht, të dëshmuara si patriotë familjarisht, personalisht dhe profesionalisht.

“Dihet, për shkak të bëmave të tyre në dëm të sovranitet territorial dhe shtetëror të Kosovës, duke ia falur Malit të Zi mbi 8200 hektarë toka të trevës së Rugovës, si dhe duke tentuar që Veriun e Kosovës t’ia japin Serbisë fashiste..!? Kosova martire, për president të vetë duhet të zgjedh vetëm figura të shquara atdhetare, të pastra kombëtarisht, të dëshmuara si patriotë familjarisht, personalisht dhe profesionalisht, e jo të kandidojë për president njerëz që kanë akuza dhe procese të hapura gjyqësore..”, ka përfunduar Rexhep Elezaj për “Bota sot”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here