Home Uncategorized Çfarë do të ndodhë me dënimet e shqiptuara për mosrespektim të masave...

Çfarë do të ndodhë me dënimet e shqiptuara për mosrespektim të masave anti Covid 19

111
0

Ligji i miratuar në Kuvend për luftimin e COVID’it nuk ka efekt retroaktiv. Që i bie se, të gjithë atyre që u janë marrë të dhënat kur kanë shkelur masat nuk dënohen me ligjin në fjalë. Megjithatë, ata do t’u nënshtrohen procedurave ligjore, që parashihen në Ligjin për Luftimin e Përhapjes të Sëmundjeve Ngjitëse, që ka qenë në fuqi në kohën kur janë iniciuar gjobat, shkruan Gazeta Express

Kuvendi i Kosovës, të premten ka miratuar më 77 vota për, në lexim të dytë Projektligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.

Ky Projektligj u iniciua në prill pasi që Gjykata Kushtetuese e kishte shpallur të pavlefshëm vendimin për kufizimin e lëvizjes të ndërmarrë asokohe nga Qeveria Kurti.

Ligji për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës, nuk ka fuqi retroaktive për të dënuar qytetarët të cilëve deri më tani u janë shqiptuar gjoba mandatorë nga Inspektorati Sanitar dhe Policia e Kosovës.

Artan Murati, këshilltar i kryeparlamentares Vjosa Omsnai, e cila ishte edhe propozuese e Ligjit anti-Covid, ka konfirmuar për Express se Ligji nuk do të ketë efekt retroaktiv.

“Ligji nuk ka efekt retroaktiv, sepse kundërvajtjet nuk kanë efekt retroaktiv nëse nuk kanë qenë të parapara më herët me akte ligjore në fuqi. Andaj, ky ligj hyn në fuqi ditën e shpalljes në gazetën zyrtare të Republikës së Kosovës”, ka thënë Murati.

Megjithatë, qytetarët dhe bizneset ndaj të cilëve është iniciuar procedura ndëshkimore nga Inspektorati Sanitar dhe Policia e Kosovës, për mosrespektim të masave ndaj COVID-19, do të dënohen në bazë të Ligjit për luftimin e sëmundjeve ngjitëse, që është në fuqi.

Këtë e ka thënë për Express zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, Lamir Thaçi.

“Të gjithë atyre të cilëve iu është iniciuar procedura ndëshkimore nga Inspektorati Sanitar i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, do t’u vazhdohet sipas Ligjeve dhe vendimeve në fuqi, në kohën kur janë iniciuar gjobat”, ka deklaruar Thaçi.

Në Ligjin për luftimin e sëmundjeve ngjitëse dhe pandemive janë të qarta kompetencat dhe mandatet ligjore, duke përfshirë edhe ndëshkimet për personat që nuk i përfillin masat e nxjerra.

Dënimet të cilat i shqiptojnë inspektorët e ISK-së dhe Policia, janë të parapara me Ligjin për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse, ku Qeveria e Kosovës është bazuar kur ka marrë masat për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

“Personi fizik dënohet me gjobë prej 1.000 € deri 2.000 €, kurse personi juridik me gjobë prej 3.000€ deri 8.000€. Personi përgjegjës i personit juridik dënohet me gjobë prej 500€ deri 1.500€, për kundërvajtje nga paragrafi 1 i këtij neni”, thuhet ndër të tjera në Ligj.

Dënime sipas këtij Ligji parashihen edhe për personat që nuk pranojnë të hospitalizohen.

“Personi fizik dënohet me gjobë prej 250€ deri 1.000€, për kundërvajtje: a) nëse refuzon të hospitalizohet dhe izolohet në institucionin shëndetësor, përkatësisht në objektin e caktuar për këtë qëllim kur është sëmurë ose kur dyshohet se është sëmurë nga sëmundja e caktuar ngjitëse sipas nenit 17, të këtij ligji”, thuhet në Ligj.

Ndërkaq, me Ligjin e ri për luftimin e COVID-19, çdo person që nuk mban maskën dënohet me 35 euro, kurse ai që s’ respekton ndalim-qarkullimin do të dënohet me 200 euro.

Personat që nuk respektojnë izolimin do të dënohen me 500 euro.

Vendimi i Qeverisë i cili obligon qytetarët të mbajnë maskë dhe të respektojnë distancën fizike ka hyrë në fuqi nga 13 korriku

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here